Saturday, October 11, 2014

Hyrje në Gazetari (për ata që dëshirojnë të bëhen gazetar)

Foto: Gazeta JnK
Shumë të rinj ëndërrojnë që të jenë gazetarë, sepse e konsiderojnë gazetarinë një mundësi për udhëtime, për t’u njohur me njerëz të rëndësishëm etj. Megjithatë, gazetaria është më shumë se kaq. Kur gjatë pasditeve “bota normale” kryen orarin e punës dhe çlodhet, gazetari mendon për ditën tjetër. Gazetari nuk ka pushim... Gazetari gjithnjë është në luftë me kohën.
Gazetari shkruan nën presionin e afateve, nën stres. Fleta e bardhë ose monitori shpesh i duken sikurse Napolonit i dukej Vaterlo, ku u zhvillua beteja aq e përfolur. Ndryshe nga shkrimtari, që shkruan në qetësi, gazetari shkruan nën presion të kohës. “Shkrimtari shkruan për dhjetëvjeçarët dhe shekujt”, kurse gazetari shkruan “mbi ditët dhe javët”. Lajmi i vonuar humb efektin.
Anëtarët e familjes shpesh nuk e kuptojnë. E akuzojnë se “nuk është bashkëshort i mirë”, se “nuk është baba i mirë”. Shpesh jeta e gazetarit ngjan me jetën e një bohemi. Gazetari një pjesë të madhe të kohës e kalon në terren, shpesh larg familjes. Ai është gjithmonë në lëvizje. Thuhet se “gazetari është si biçikleta; po nuk qe vazhdimisht në lëvizje atëherë rrëzohet”.
Gazetaria të sjell kënaqësi dhe mundime, prandaj ai që e do gazetarinë këto duhet që t’i ketë parasysh që në fillim të karrierës. Vetëm ata që e kanë pasion gazetarinë vazhdojnë këtë udhëtim të vështirë i cili mund të të shpie drejt lavdisë.
Jo çdokush ka konsiderata për gazetarinë. Politikani Bizmarku thoshte se “gazetarët janë njerëz të profesionit të dështuar”. Më vonë e ndryshoi mendimin. Gjatë një fjalimi tha se shtypi “e vlerëson drejt pushtetin dhe opozitën, hedh goditje djathtas dhe majtas, duke mbrojtur moralin e shoqërisë”.
Uinston Çerçili pohonte se “gazetaria është thirrje e jashtëzakonshme që duhet sa më parë t’i largohesh”. Megjithatë, ishte lexues i pasionuar i gazetave.
Gëte thoshte se shpesh herë gazetarët nuk e dinë se çfarë thonë, ndërkaq ndonjëherë nuk mund ta thonë atë që e dinë.
Një shkrimtar tjetër pohonte se gazetat duhej që të shtypeshin kur ndodhte ngjarja e madhe për njerëzimin, e cila, sipas tij, ndodhte njëherë në njëqind vjet.
Megjithatë, ka shumë shkrimtarë të njohur që i kanë shkruar veprat e tyre teksa punonin si gazetarë, të cilët kanë folur me respekt për gazetarinë. Të tillë janë gazetarët dhe shkrimtarët: Ernest Heminguej, Dino Buxati apo Gabriel Garsia Markes...
Shkrimtari dhe gazetari spanjoll, Huan Gomes Hurado, autor i librit bestseller “Spiuni i Zotit”, thotë se gazetaria të ndihmon edhe në letërsi. Nëpërmjet gazetarisë, sipas tij, mësohesh që të hulumtosh më mirë dhe të gjesh më shumë burime për veprën letrare që shkruan. Por, sipas tij, ndryshe shkruhet një roman dhe ndryshe një raport gazete, sepse në rastin e dytë duhet u nënshtrohesh klisheve...
Jeta e gazetarit është dinamike. Ka jetë të qetë, të zakonshme, ku gjërat zhvillohen ngadalë. Kjo nuk ndodh me gazetarin.
Gazetari nuk është person i dëgjueshëm. Ai angazhohet në shoqëri. Me vetiniciativë merr pjesë në mbrojtjen e sistemit të vlerave në shoqëri (politik, ekonomik, kulturor, arsimor etj.) Gazetari angazhohet edhe për ndryshime shoqërore, kur janë të nevojshme. Megjithatë, gazetari nuk jep leksione, as këshilla, ai vetëm informon. Nëse e thotë përherë të vërtetën ai ka frikë vetëm nga një gjykatës - lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.
Gazetaria është një luftë e vazhdueshme. Jeta e gazetarit shpesh mund të vihet në rrezik...
Vetëm të guximshmit vazhdojnë udhëtimin.
Nëse i pranoni këto vështirësi, atëherë mund ta vazhdoni udhëtimin drejt bërjes së karrierës në gazetari.


ÇKA JANË MJETET E INFORMIMIT?

Mjetet e informimit (mediumet) mbledhin dhe shpërndajnë informacionin për opinionin publik.
Sipas mënyrës së emetimit të informacioneve mund të jenë:
1. Mjete të shtypura të informimit (gazetat, revistat)
2. Mjete elektronike të informimit (televizionet, rrjetet televizive, radiot)
3. Mjete virtuale të informimit (interneti, blog-u, forumet etj.)

Sipas pronësisë mediumet mund të jenë:
1. Publike – kur financohen nga obliguesit tatimor (në Maqedoni medium publik është RTVM-ja dhe disa radio lokale etj.)
2. Private – kur financohen nga persona privat (Alsat M, Top Channel, Shekulli, Fakti, Lajmi etj.)
Përgjithësisht, mediumet informojnë publikun, vëzhgojnë zhvillimet në shoqëri dhe ndikojnë.


ÇKA ËSHTË LAJMI?

Kush thotë gazetari thotë informacion. Kështu shkruan Pierre - Andre Krol, në librin e tij “Manual i vogël i reporterit”. Po të mos ishte lajmi s’do të ishte as gazetaria.
Deri tani askush nuk ka arritur që ta përkufizojë me saktësi lajmin. Thuhet se lajmi nuk mund të përkufizohet por njihet menjëherë. Lajmi është fakt relevant. “Lajmi është diçka që nuk e ke njohur më parë” (Tarner Katlixh). Apo: “Ngjarja që ia vlen të jetë lajm është ajo e cila ndryshon status quo-në e situatës ose që mund të ndikojë në të”.
Ndoshta përkufizimi më mbresëlënës është i Robert Dejna-s, redaktor në “New York Sun”, i cili thotë: “Nuk është lajm kur qeni kafshon njeriun, por kur njeriu kafshon qenin”.
Funksioni themelor i gazetarisë është informimi. Lajmi është baza e gazetarisë. Në gazetari lajmi konsiderohet si “gjëja më e rëndësishme në botë”. Pa lajmin mediumet informative nuk do të justifikonin ekzistimin e tyre. Nga lajmi lindin të gjithë zhanret e gazetarisë - komenti, editoriali, analiza, reportazhi etj.
Njerëzit duan të dinë për ngjarjet, t’i “përjetojnë” sipas mënyrës së tyre dhe më pas të dëgjojnë apo lexojnë komentet e të tjerëve - komentuesve, ekspertëve, teoricienëve...
Gazetari e gjen lajmin, por ai nuk është gjykatës. Është e drejtë e njerëzve të kenë mendimin e tyre për ngjarjet e ndryshme për të cilat informohen. Njerëzit nuk janë qenie që duhet të udhëhiqen, por qenie që dinë të mendojnë.
Gazetari gjithnjë duhet ta ketë të qartë thënien “Ta dëgjojmë dhe palën tjetër”.
Gazetari nuk paragjykon. Ai shkon atje ku e shpien faktet, “shkon drejt jetës duke e treguar atë”.
Lajmi duhet të jetë i saktë, i qartë, i plotë, aktual.
Përmbajtja e lajmit gjendet duke u dhënë përgjigje pyetjeve: KUSH? ÇKA? KU? KUR? SI? PSE?
Gjërat më të rëndësishme gjithnjë janë në fillim të lajmit. Redaktorët i shkurtojnë tekstet duke filluar nga fundi.


CILAT JANË KARAKTERISTIKAT E LAJMIT?

Ndikimi (Impakti) – Sa më i madh të jetë ndikimi te njerëzit dhe proceset në shoqëri, po aq është më i rëndësishëm një lajm.

Nisja nga pika zero (nga lokalja) – Lexuesit më shumë i intereson ajo që ndodh më pranë tij. Një zjarr afër vendit ku jeton i intereson më shumë se sa një fatkeqësi më e madhe e ndodhur diku larg.

Koha e duhur – Lajmi plasohet në kohën e duhur. Çdo lajm i vonuar humb efektin.

Njerëzit – Lajmi ndërlidhet me njeriun. Njerëzit e bëjnë dhe e lexojnë lajmin. Emrat e mëdhenj krijojnë lajmin e madh.

Konfliktet – Janë një nga veçantitë kryesore të lajmit.

Dimensioni human – Gazetari identifikohet me fatin e atyre për të cilët raporton.

Audienca (target grup-i) – Çdo lajm zgjon interesimin e një grupi njerëzish (të rinjve, pleqve, pensionistëve, adhuruesve të artit, sportit etj.)

ÇKA ËSHTË PUBLIKU DHE POROSIA?

Komunikimi elementar konsiderohet se ka tre elemente - Publikun, Përrallën (rrëfimin), Porosinë (mesazhin). Pra 3P.
PUBLIKU janë lexuesit, shikuesit, dëgjuesit apo shfrytëzuesit e internetit
POROSI jepet nëpërmjet tekstit, fotografisë, videos, grafikës, tonit (zërit), HTML-së etj.

CILA ËSHTË GJUHA E GAZETARIT?

Nuk ka një gjuhë universale. Secili gazetar e ka gjuhën e tij. Saktësia dhe qartësia e një teksti varen nga pasuria gjuhësore e gazetarit. “Gjuha nuk është vetëm mënyrë për të shprehur mendimet, por edhe mënyrë e të menduarit”. Shumë njerëz përdorin të njëjtat fraza. Gazetari duhet të ketë gjuhë më të pasur. Kjo arrihet duke lexuar vazhdimisht. Megjithatë nuk janë gazetarët ata që e mbrojnë gjuhën, që e pasurojnë atë. Duke shkruar nën presionin e afateve ata shpesh nuk kanë kohë që të ndalen gjatë te “gdhendja” e fjalisë. Nëse shkrimtari shkruan për një lexues ideal, gazetari shkruan për të gjithë, pavarësisht përgatitjes arsimore apo profesionale të lexuesit. Por gazetari asnjëherë nuk duhet ta harrojë se pa fjalën ai është sikurse njeriu pa ajrin...
Gazetari duhet të jetë i shpejtë, por edhe i qartë. Mungesa e qartësisë e errëson mendimin. Ai, gjithashtu, duhet të jetë i saktë, të mos përdorë fjalë të tepërta. Fjalitë e gjata, po nuk u shkruan me mjeshtri, mund të krijojnë konfuzion te lexuesi. Gazetari duhet të shkruajë shkurt. Gazetari shkruan që të lexohet.
Andre Krol konsideron se gazetar i mirë është ai i cili i jep tekstit jetë, ngjyrë, aromë, ton, muskul dhe karakter, por edhe nuhatje. Kush thotë gazetari thotë informacion. Fjalitë e shkurtra japin ritëm, nerv dhe muskul. Sipas tij një gazetar është i mirë nëse arrin lexuesin ta mbajë peng të shkrimit të tij.

ÇFARË TRANSMETOHET ME GJUHËN E MEDIUMEVE?

Me gjuhën e mediumeve (gazetave, radios, TV, internetit) transmetohen informacione për njerëz, ngjarje, aktivitete, pasoja etj.
“Gjuha e mediumeve është në raport të ngushtë me gjuhën e popullit, të rajonit, gjuhën e grupeve të caktuara...” (The Oxford Dictionary of English Grammar).
Gjuha krijon identitet. “Kur flet ose shkruan diçka, ti shfrytëzon burime nga gjuha amtare për ta projektuar veten si një personalitet i veçantë, të ndryshëm brenda rrethanave të ndryshme. Gjithashtu e projekton veten si një personalitet i angazhuar brenda aktiviteteve të caktuara. Nëse nuk e kam idenë se kush je, atëherë nuk do të arrij që të kuptoj se çka më thua, çka shkruan dhe çka më preferon”. (James Paul Gee).

ÇKA DUHET TA KEMI PARASYSH KUR SHKRUAJMË NJË LAJM?

- Më parë përgatitemi, pastaj ulemi që të shkruajmë;
- Më parë duhet ta kemi të qartë për atë që shkruajmë, pastaj të fillojmë të shkruajmë, sepse nuk ka mendime të errëta, por fjali të errëta;
-Të mendojmë shkurt që të shkruajmë shkurt;
- Të respektojmë normat gramatikore (edhe pse çdo redaksi ka lektorin);
- Të përdorim fjalë nga gjuha standarde;
- Të kemi njohje për sintaksën;
- Të shkruajmë me precizitet semantik – pra të mos përdorim fjalë që s’ua dimë kuptimin (nuk themi “narkoman”, por “i varur nga droga”, jo “invalid” por “handikap”);
- Duhet që të flakim fjalët e huaja, zhargonet, shprehjet figurative, klishetë, gjuhës administrative;
- T’u shmangemi fjalive të komplikuara;
- Të flasim, pastaj shkruajmë – më parë ta themi fjalinë, pastaj ta shkruajmë
- Të shohim nëse përputhen kohërat, gjinitë, numërorët etj.
- Gazetari i mirë gjithnjë e rilexon tekstin e tij. Atij nuk i pengon që tekstin t’ua lexojë kolegëve para se ta dërgojë te redaktori. Përse jo, tekstin mund t’ia japësh ta lexojë edhe pastrueses. Edhe ajo është një lexuese gazetash, një dëgjuese e radios apo një shikuese e TV-së.

SI SHKRUHET NJË LAJM?

Dëshirojmë që të shkruajmë një lajm?
Duhet që t’u japim përgjigje pyetjeve: KUSH? ÇKA? KU? KUR? SI? PSE?
Nuk u përgjigjemi këtyre pyetjeve?
Nuk e kemi lajmin ose kemi diçka që mungon.
Gazetarët fillestarë shpesh harrojnë ta pyesin tekstin që kanë shkruar. Ata duhet që tekstit t’ia parashtrojnë pyetjet themelore të gazetarisë. Teksti gazetaresk është si pasqyra magjike, e cila ua kthen përgjigjet, nëse më parë ia keni treguar. Nëse keni harruar t’ia tregoni përgjigjet, pasqyra nuk do t’ua kthejë. Mos prisni që ta shikoni veten në pasqyrë nëse nuk qëndroni përballë saj.
Pyeteni ÇKA dhe teksti do t’u përgjigjet. Nëse keni harruar t’ia tregoni se ÇKA ka ndodhur, atëherë teksti do të heshtë. Bëjeni që të flas teksti Juaj.
Gazetari gjithnjë niset nga pasojat, pastaj i kërkon shkaqet. Nëse ka ndodhur një fatkeqësi, ku ka pasur të vdekur, gazetari fillimisht tregon pasojat, pra sa ka të vdekur, më pas merret me shkaqet.
Shpesh herë gazetari nuk mund t’i jap përgjigje pyetjeve SI dhe PSE. Sepse i mungojnë të gjitha informacionet. Por assesi nuk i harron këto pyetje. Mund të shkruajë një tekst tjetër, atëherë kur do ta ketë përgjigjet. Mbase ditën e nesërme (nëse punon në gazetë) ose në edicionin e ardhshëm të lajmeve (nëse punon në radio apo TV).
Nëse ÇKA është e domosdoshme për tekstin e sotëm, PSE do të jetë i rëndësishëm për ditën tjetër.

KUSH?
Në këtë pyetje përgjigjemi për njerëzit, si pjesëmarrës në ngjarje.

ÇKA?
Çka u ndodhi njerëzve ose çka ndodhi që të mund të shkruajmë.

KUR?
Gazetari nuk shkruan për gjëra të jashtëkohëshme. Ai nuk është shkrimtar. E tregon kohën kur ka ndodhur ngjarja.

KU?
Gazetari duhet që të tregojë vendin e saktë ku ndodhi ngjarja. Ai nuk shpik vende vetëm që të zhvendos ngjarjen, ashtu sikurse mund të veprojë një shkrimtar. Nëse Makondo është vend i sajuar nga Markesi, për të cilin thotë se është gjendje shpirtërore, gazetarit kjo nuk i lejohet, sepse nuk sajon.

SI?
Nëse u përgjigjemi katër pyetjeve të mësipërme atëherë e kemi lajmin, por lexuesi është kureshtar dhe dëshiron të dijë më shumë – dëshiron të dijë se si ndodhi ngjarja.

PSE?
Gazetari jep shkaqet e ngjarjes. Pas çdo pasoje doemos duhet të ketë një shkak. Shpesh, për shkak se lajmi duhet të plasohet në kohë të duhur, gazetarët nuk arrijnë që t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje.

CILËT JANË LLOJET E LAJMIT?

Lajmi klasik – Zakonisht bëhet sipas principit të piramidës së përmbysur, duke u dhënë përgjigje pyetjeve të rëndësishme të gazetarisë.
Lajmi në vazhdimësi - Janë lajme që e ndjekin në vazhdimësi një ngjarje të papërfunduar.
Flesh – Lajm shumë i shkurtë dhe i shpejtë që, zakonisht, përmblidhet me një fjali. Shpesh jepet në televizion kur ndodh diçka e re dhe e rëndësishme.
Antrfile (shpesh quhet boks) – Lajm i cili futet në tekstet gazetareske si element i veçantë grafik. Pra, ndonjë lajm atraktiv, që ka edhe titull të veçantë, ndonjë citat i fuqishëm ose ndonjë detaj që zgjon kërshërinë e lexuesve. Kuptohet, që ndërlidhet me lajmin kryesor.
Kurioziteti – Dallon nga lajmi klasike sepse i mungon aktualiteti. Kuriozitet nuk synon aq të informojë se sa që të zgjojë interesim apo që ta argëtojë lexuesin/dëgjuesin/shikuesin.
Komunikata (Kumtesa) – Është njoftim zyrtar i institucioneve të ndryshme që jepet nëpërmjet shtypit, radios, TV etj..

ÇKA JANË BURIMET E NJË LAJMI?

Lajmi është si lumi. A mund të ketë lum pa burime? Që lajmi të rrjedhë me patjetër na duhen burimet.
U kemi dhënë përgjigje 6 pyetjeve (kush, çka, ku, kur, si, pse)? Po. Por lajmi ende nuk është kryer. Gazetarët shkruajnë për ngjarje, që i krijojnë njerëzit real, institucionet etj. Nuk ka ndodhur që ndonjë personazh të ketë dalë nga ndonjë roman dhe të na ketë befasuar. Prandaj gazetari shfrytëzon burimet, që lajmin ta bëjë të besueshëm. Madje, lexuesi dëshiron që në lajm të ketë më shumë burime.

Burimet primare: janë ata që kanë informacionin e dorës së parë. P.sh. ndonjë dëshmitar në vendin e ngjarjes, ndonjë pjesëmarrës në ngjarje, ndonjë i dëmtuar etj.

Burimet sekondare: mund të jenë organet kompetente, ekspertët, shfrytëzimi i materialeve arkivore etj. (Në gazetari është si rregull që informacionet të verifikohen nga dy burime të pavarura).
Kur shfrytëzojmë burim nga medium tjetër atëherë themi “citohet të ketë thënë...”, për t’ia bërë me dije lexuesit/dëgjuesit/shikuesit se është huazuar nga medium tjetër.

Burimet anonime (konfidenciale): Edhe pse nuk janë të preferuar dhe shpesh ngjallin polemika, megjithatë në tekste gazetareske përdoren edhe burime anonime. Gazetari e ka për obligim që ta bind burimin të rrëfejë hapur, me emër dhe mbiemër dhe jo të flasë “pa i dalë emrin në gazetë”. Por kështu nuk ndodh përherë... Prandaj gazetari merr përsipër që të mbrojë burimin, pa ia zbuluar identitetin.
Në Maqedoni ekziston ligj për mbrojtjen e burimit anonim. Në gazetari ndodh shpesh që të ketë keqpërdorime me “burime anonime”, që sajohen për qëllime të ndryshme propagandistike.

SI PËRCILLEN RRËFIMET E BURIMEVE TE LEXUESI?

-Rrëfimet e burimeve përcillen në mënyrë shumë koncize.
-Kur kemi rrëfime nga dy palë kundërshtare duhet që të jenë të balancuar.
-Gjithnjë duhet të dallohet citati nga ajo që thotë gazetari, që të mos ngatërrohet fjalia dhe të hutohet lexuesi.

ÇKA ËSHTË ATRIBUIMI (EMËRTIMI)?

Atribuim nënkupton kur rrëfimi në tekstin gazetaresk ndërlidhet me burimin e rrëfimit. Pra kur tregojmë se kush ka rrëfyer.

CILAT JANË MËNYRAT E CITIMIT?

Në gazetarinë e shkruar ekzistojnë disa mënyra të të cituarit:

a) Në fillim të fjalisë:
Hoze Murinjo thotë: “Dështuam sepse nuk i shfrytëzuam rastet për gol”
Hoze Murinjo thotë se dështuan sepse nuk i shfrytëzuan rastet për gol.

b) Në fund të fjalisë:
“Dështuam sepse nuk i shfrytëzuam rastet për gol”, thotë Hoze Murinjo
Dështuan sepse nuk i shfrytëzuan rastet për gol, thotë Hoze Murinjo.

c) Në mes të fjalisë:
“Dështuam”, thotë Hoze Murinjo, “sepse nuk i shfrytëzuam rastet për gol”
Dështuam, thotë Hoze Murinjo, sepse nuk i shfrytëzuam rastet për gol.


CILAT JANË MODELET E STRUKTURIMIT TË LAJMIT?

Kur i kemi të gjithë elementet për ta bërë një lajm, atëherë mund të merremi me strukturimin e tij. Ka dy modele për strukturimin e një lajmi:
1)modeli i piramidës së përmbysur
2)modeli narrativ

1)modeli i piramidës së përmbysur - shfrytëzohet gjatë strukturimit të “lajmit të fortë” dhe rrëfimeve standarde. Në hyrje të lajmit jepet elementet më të rëndësishme, sipas pyetjeve themelore, kurse më pas renditen elementet tjerë. Ky model i mundëson redaktorit që ta shkurtojë lajmin nga fundi drejt fillimit.

2)modeli narrativ - ka hyrje ku jepen të dhënat kryesore, pastaj shtohen elemente që mbështesin të dhënat e hyrjes, por gjithashtu ka edhe fund të fuqishëm.

ÇKA ËSHTË SFONDI (BACKGROUND)?

Në sfond jepen të dhëna për njerëzit, ngjarjet dhe fenomenet që i kanë paraprirë ngjarjes për të cilën shkruajmë. Zakonisht lajmeve kryesore, që botohen në ballinë, ose që emetohen në terminët më të shikuara (të dëgjuar) në TV (radio), u shtohet edhe sfondi.

SI STRUKTUROHET NJË LAJM?

- Kreu – Në fillim sulmi. Sa më goditës dhe sa më i shkurtë. Njohësit e gazetarisë preferojnë që hyrja të mos jetë më e gjatë se 4 reshta, sepse duhet që të përvetësojë lexuesin. Bëjeni lexuesin që të futet menjëherë në jetën e subjektit, nëpërmjet një personazhi, një detaji të fortë, një plani të madh.
- Faktet mbështetëse dhe përshkrimi i ngjarjes– rendisim faktet tjera që janë me interes për lexuesin.
- Atribuimet dhe citatet – që teksti të bëhet më i besueshëm japim citatet e burimeve, pjesëmarrësve në ngjarje (burimet primare) dhe të tjerëve që flasin për ngjarjen (burimet sekondare).
- Sfondi - Jepen të dhëna për njerëzit, ngjarjet apo fenomenet që i kanë paraprirë ngjarjes për të cilën shkruajmë.
- Temat sekondare – këto mund t’i përdorim edhe në ndonjë shkrim tjetër.
- Titullimi - pasi kemi shkruar lajmin atëherë mendojmë për titullimin e tij (mbi titullin, titullin, nën titullin, mes titujt)

PSE TITULLOHET LAJMI?

Lajmin e shkruajmë që ta shesim. Prandaj duhet t’i vëmë një titull atraktiv që ta tërheq lexuesin. Thuhet se titulli dhe hyrja duhet të nxisin dëshirën e lexuesit për të lexuar më tej tekstin e shkruar. Pensionistëve do t’ua tërhiqte vëmendjen titulli “Pensione jo të vogla, por qesharake”.
Në gazetarinë e shkruar lajmit i vëmë mbititullin, titullin, nëntitullin dhe mestitujt. Në gazetarinë për radio dhe TV shpesh nuk përdoren titujt, prandaj gazetarët e këtyre mediumeve e kanë vështirë të gjejnë tituj kur duhet që të punojnë në gazetë.
Nëpërmjet titullit japim faktin më kryesor të lajmit. Por vetëm një fakt, asnjëherë më shumë se kaq. Titulli joshës e nxit lexuesin që të lexojë tekstin. Titulli duhet të jetë atraktiv, informativ, goditës, preciz, inventiv, befasues, origjinal. Njohësit e gazetarisë konsiderojnë që titulli s’duhet të ketë më shumë se gjashtë fjalë, duke përjashtuar lidhëzat. Gjithsesi se duhet shmangur shenjat e pikësimit. Në tituj nuk vendohet pikëçuditje ose pikëpyetje. “Nëse titulli shtron një pyetje, përpiqu t'i përgjigjesh Jo”, thotë gazetari i shquar Andrew Marr.
Kur lexuesi lexon mbititullin, titullin, nëntitullin ai duhet që të ketë një pasqyrë për atë që flet rrëfimi i gazetarit.
Mbititulli nuk duhet të jetë më goditës se sa titulli. Është si një uverturë. Nëntituj duhet të jenë të shkurtër. Ato duhet t’i përkasin pjesës së tekstit që vazhdon dhe jo asaj që paraprin. Nëntitulli duhet të shkaktojë kërshëri për vazhdimin e leximit. Nuk është bërë vetëm për ta ajrosur tekstin, pamjen vizuale.

PSE NJË RRËFIM, NJË KËND?

Ekziston një barsoletë për gazetarin që niset të shkruajë për një shfaqje, por kthehet i dëshpëruar sepse ka dështuar. Arsyeja: digjej teatri. Pra, lajmi kryesor ishte djegia e teatrit dhe jo dështimi i shfaqjes.
Gazetari duhet që të zgjedh një kënd. Lexuesit s’do t’i interesojë pse nuk u mbaj shfaqja, por pse u dogj teatri, në pati të lënduar etj.
Gazetari duhet t’ia parashtrojë vetes disa pyetje para se të nis të shkruajë:
-Cili do të jetë rrëfimi im?
-Ku është lajmi në këtë rrëfim?
-Çka ka të re në lajm?
-Çka do t’i interesonte lexuesit?
-Çka dua t’i kumtoj lexuesit?
Prandaj një rrëfim, një kënd, me qëllim që të mos defokusohet lexuesi.

CILËT JANË GABIMET E GAZETARËVE FILLESTARË?

- Gazetarët fillestarë, ndonëse mund të jenë të talentuar, harrojnë t’u përgjigjen pyetjeve themelore të gazetarisë. Ngjajnë me vozitësit fillestarë, të cilët kur frenojnë shikojnë këmbën e tyre. Ende s’e kanë të krijuar instinktin që të frenojnë pavetëdijshëm kur para tyre shfaqet një pengesë.
-Kur shkruajnë në gazetë harrojnë se shkrimi i tyre do të botohet nesër (shkruajnë sot, kurse gazeta botohet nesër)
-Tentojnë me një fjali t’u përgjigjen 6 pyetjeve themelore të gazetarisë, duke krijuar fjali të gjatë dhe të paqartë.
-Shpesh i harrojnë emrat e bashkëbiseduesve, sepse nuk i kanë shënuar në notesin e tyre.
-Shpesh harrojnë që personave t’ua shënojnë funksionet që i kryejnë...

ÇKA ËSHTË RAPORTI?

Është zhanër themelor i gazetarisë i cili u jep përgjigje pyetjeve themelore të gazetarisë (kush, çka, kur, ku, pse, si) duke njoftuar audiencën me rrjedhën e ngjarjeve. Gazetarët shpesh e quajnë “lajm i zgjeruar”. Por raporti dallon nga lajmi i zgjeruar për sa i përket mënyrës se si shkruhet, përmbajtjes, rolit dhe dedikimit. Lajmi informon për dikë ose për diçka, duke u bazuar në elementet themelore të informimit. Raporti jep hapësirë edhe për detajet. Është rrëfim, dëshmi, interpretim, sqarim dhe detaj.

Ka disa lloje raportesh:
1. I thjeshtë (i përgjithshëm, informativ apo tematik)
2. Analitik (interpretues)
3. Përshkrues

Raporti i përgjithshëm (informativ) – na jep imazhin e përgjithshëm të ngjarjes, ndjek rrjedhën e saj dhe merret me rrethanat.
Nëpërmjet raportit synohet që të informohet audienca për ngjarjet ditore, për zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore etj.
Raporti është tematik kur gazetari përqendrohet vetëm te një temë e ngjarjes, e cila mund të sjellë risi dhe të jetë interesante për audiencën (publikun).

Raporti analitik(interpretues) – ka qëllim që të analizojë të dhënat, pra të informojë audiencën më shumë për një ngjarje.

Raporti përshkrues – Përveç se flet për një ngjarje njëkohësisht e përshkruan atmosferën dhe ambientin ku ka ndodhur ajo. Gazetari që bën një raport përshkrues ndalen edhe në detaje që e zgjojnë kërshërinë e lexuesit. Për të shkruar një raport të këtillë gazetari duhet që të ketë prirje për beletristikë.

ÇKA ËSHTË INTERVISTA?

Intervista është zhanër shumë i popullarizuar gazetaresk. Rrjedh nga anglishtja dhe do të thotë takim ose bisedë. Intervista bëhet me një person të njohur rreth një teme aktuale. Gazetari nuk pyet kot, por kërkon përgjigje relevante. Shpesh konsiderohet si një lajm i shprehur në formë dialogu.
Se sa një intervistë do të jetë e suksesshme varet nga aftësia e intervistuesit, por edhe bashkëbiseduesit.
Që intervista të jetë e suksesshme duhet që të zgjidhet tema, bashkëbiseduesi dhe pyetjet e parashtruara. Të bësh pyetje është po aq vështirë sa të përgjigjesh.
Gazetari nuk do të dështojë nëse ka njohuri paraprake rreth temës për të cilën do ta pyes bashkëbiseduesin. Gazetari konsulton burime të ndryshme. Lexon sa më shumë për temën dhe për bashkëbiseduesin, pyet persona të tjerë për të. Preferohet që gazetari paraprakisht të bëjë një bisedë të lirë me atë që dëshiron ta intervistojë.
Nëse gazetari dëshiron që të intervistojë një shkrimtar duhet që të lexojë librat e tij.
Intervista synon që personalitetet e njohur t’i ofrojë sa më afër publikut.
Intervistat mund të jenë klasike, interpretuese, kolektive etj.
Kur intervistoni pyeteni bashkëbiseduesin “përse është ashtu” dhe jo “a është ashtu”, sepse nëse burimi mendon se nuk dini asgjë atëherë do të tentojë që t’u bllokojë dhe do t’u shmanget pyetjeve të padëshirueshme.
Qëllimi i gazetarit është që ta shtyjë bashkëbiseduesin të sqarojë dhe të rrëfejë dhe jo të mohojë.
Që t’ia arrini qëllimit, të cilin e synoni, duhet të shkoni deri në fund. Reporterët që nuk besojnë se do të arrijnë që të marrin intervistë ose ndonjë informacion nga burimi kurrë nuk do të kenë sukses. Pyetni vazhdimisht dhe mos komentoni. Mos i jepni hapësirë bashkëbiseduesit që të përgjigjet shkurt me “po” ose “jo”. Duhet të keni durim dhe bashkëbiseduesit t’i krijoni komoditetin që të rrëfejë.
Në fillim bëni pyetje të përgjithshme, “të lehta”. Kështu i jepni mundësi që të krijojë besim tek ju. Më pas parashtroni pyetjet “e vështira”. Pra mos shkoni menjëherë të kulminacioni.
Gjatë gjithë kohës sa e intervistoni burimin mos lejoni që t’u kaplojnë ndjenjat. Mos harroni: ju nxirrni përgjigjet dhe nuk jeni ai që i zgjidhni problemet.
Para se gazetari të bëjë një intervistë duhet të ketë parasysh këto gjëra:
-Të identifikohet dhe t’i tregojë atij që e interviston se ku do të botohet intervista;
-T’i tregojë qëllimin e intervistës;
-T’ia tregojë kohëzgjatjen;
-T’i japë burimit kohë të mjaftueshme që të përgjigjet;
-T’i shmanget debatit, fyerjeve, grindjeve me atë që e interviston;
-Nëse intervista do të botohet në gazetë nuk është profesionale që përgjigjet të nxirren nga konteksti. Pra gazetari duhet që të respektojë kushtet e parashtruara nga ai që intervistohet.

Literatura:
Grup autorësh - “Të shkruarit për mediume të shtypura”, MIM, Shkup, 2005
Pierre - Andre Krol – “Manual i vogël i reporterit”, përkthyer nga A. Lili
Grup autorësh - Manual për gazetarët e Evropës Qendrore dhe Lindore, “Dituria”, Tiranë
Predrag Gjuriqiç - “Gazetaria, filozofi, moral, zanat”, Laris, Beograd, 1990
Melvin Mensher - Gazetari, SHLG “Faik Konica” (Dispensë), Prishtinë 2001
David Tuller - Manual i raportimit të diversiteti.
Çka bën redaktori përgjegjës, burimi www.notrain-nogain.org

Andrew Marr – “Midis rreshtave”, shkëputur nga libri “A Short History of British Journalism”, përkthyer nga Faruk Myrtaj.

Saturday, October 4, 2014

Buxheti dhe Politika


Shkrim nga Mimoza Kusari, botuar në gazetën "Tribuna", me 3 tetor 2014.

Cikli i politikbërjes në secilin vend karakterizohet me planifikimin, buxhetimin dhe realizimin. Sikur planifikimi dhe buxhetimi të për afrohen, do të ketë devijim të vogël (nëse të gjitha rrethanat tjera shkojnë sipas planit) nga zbatimi i programit politik të institucioneve të nivelit qendror dhe lokal. Në këtë periudhë viti, agjencitë buxhetore dhe Komunat kanë përgatitur sipas obligimit ligjor buxhetet të cilat mendojnë se duhet të realizohen në funksion të planeve dhe programeve të tyre. Shumë rrethana e kanë ngarkuar përgatitjen e buxhetit të Komunës së Gjakovës. Rrethana të cilat fatkeqësisht edhe një herë nxorën në pah zellin opozitar dhe mungesën e vullnetit për t'i shtyrë proceset përpara vetëm pse “ne” nuk jemi në qeverisja. Po filloj me radhë. Si rrjedhojë e mungesës së Kuvendit të konsoliduar të Kosovës, viti 2014 kaloi pa rishikim të buxhetit. Defekt ky i cili duke e marrë parasysh faktin se Kryetarët e rinj nuk e përpiluan buxhetin e vitit 2014, e ngarkoi edhe më shumë qeverisjen. Në kuadër të projekteve të realizuar, komuna e Gjakovës arriti që për projektet kapitale këtë vit të zbatojë 1/3 e buxhetit, përderisa 2/3 shkuan në pagesën e borxheve, të cilat kishin arritur 5,6 milionë euro, ndërsa nga kjo shumë, 3 milionë vetëm janë paguar deri më tani. Sikur borxhet të mos ishin mjaft, Qeverisja e kaluar kishte arritur t'i fuste në lajthitje shumë banorë të Komunës duke i nxitur të jenë pjesë e projekteve me bashkëfinancim, përderisa Komuna nuk i kishte as mjetet e zotuara apo buxhetin i cili mund t'i mbështeste këto projekte. Vlera e projekteve të nisura nuk është as më shumë as më pak se 25 milionë euro, apo 5 vjet investime kapitale të Komunës. S’do mend të kuptohet se këto projekte kanë mbetur të nisura dhe të papërfunduara nga shumë operatorë. Në rrethanat në të cilat gjendet Komuna e Gjakovës dhe prioritetet e Komunës, është sikur të ecësh në tehun e thikës duke u kujdesur të mos rrëshqasësh në asnjërën anë. Nëse rrëshqet në cilëndo anë do të prehesh keq. Për Komunën, njëri teh janë premtimet e dhëna dhe mjetet e marra nga pushteti i kaluar pa projekte të realizuara, ndërsa tehu tjetër janë stabiliteti financiar dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Komunës. Për ata të cilët seriozisht e kuptojnë buxhetin dhe mundësinë e tij, e dinë se kufizimet serioze të buxhetit lidhen edhe me obligimet të cilat kanë mbetur me institucionin e Komunës. Pavarësisht të gjitha vështirësive, Qeverisja e re e Komunës së Gjakovës ka arritur që qysh në vitin e parë të siguroj 2,4 milionë euro projekte të ndryshme nga donatorët e huaj apo Qeveria e Kosovës të cilat kanë filluar të realizohen apo janë në proces të realizimit. Do të thotë pavarësisht të gjitha problemeve, vështirësive, kokën e mbajmë mbi ujë. Subvencionet e bujqësisë janë rritur 100% falë bashkëpunimit me agjencitë, donatorë dhe prej vitit 2015 komuna do të fillojë me projektet e financimit të zhvillimit të sektorit privat, ndërmarrjeve të vogla dhe artizanaleve. Projektet e prezantuara nga konferenca e donatorëve presim të vazhdojmë diskutimin me donatorë për implementim, përfshirë edhe Qendrën e Re të Mjekësisë familjare. Komuna e Gjakovës planifikon realizimin e projektit të ujit për tri zonat e komunës së Gjakovës. Shuma e ndarë nga komuna parasheh zbatim deri në masën 80% të projektit të furnizimit me ujë të pijes. Ndërsa, e shohim zhvillimin ekonomik të udhëhiqet nga sektori privat, kemi hequr taksën në biznese për të gjitha bizneset të cilat veprojnë në Komunën e Gjakovës, kemi themeluar Këshillin Konsultativ të bizneseve, si dhe kemi filluar me promovimin intensiv të mundësive investive në komunë me sukseset e para të cilat do të finalizohen para fundit të këtij viti kalendarik. Të gjitha projektet dhe shpjegimet për to nuk ishin mjaft për përfaqësuesit e opozitës të cilët nuk e votuan buxhetin e stabilitetit financiar të komunës së lodhur nga borxhet, projektin e ujit i cili 7 vite radhazi u shty pakuptim si dhe nuk e kuptuan konceptin zhvillimor duke e krahasuar me të kaluarin i cili e solli situatën deri në këtë pikë. E bukura dhe e mira e buxhetit është se të gjithë do të përfitojnë, përfshirë edhe opozitën.
Gëzuar!

(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

Parimet e Demokracisë Parlamentare


Shkrim nga Vjosa Osmani, botuar në gazetën "Tribuna" me 9 Shtator 2014.

Shumica parlamentare (50+1%) është jetike për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Nëse marrim një shembull hipotetik ku 20 parti konkurrojnë në zgjedhjet e përgjithshme, dhe nga to 18 parti marrin nga 5%, njëra merr 4%, ndërsa partia e fundit merr 6%, a do të thotë kjo se partia e fundit (me vetëm 6%) të votave është parti e cila duhet t'i udhëheqë institucionet shtetërore, sepse ka dalë me 1% më shumë? Kjo do të mund të ndodhte nëse Kosova do të kishte sistem pluralist të zgjedhjeve bazuar në formulën ‘First Past the Post’, ku partia e cila del e para me vota, pa marrë parasysh përqindjen e votave ose dallimin me partitë e tjera, konsiderohet se i merr 100% të votave, pra merr gjithçka, dhe rrjedhimisht e fiton të drejtën e formimit të institucioneve dhe të udhëheqjes së tyre. Për fat të mirë, në Kosovë (njëjtë si edhe në shumicën dërmuese të shteteve evropiane) nuk është zgjedhur një sistem i tillë elektoral, sepse krijon boshllëqe në mënyrën e përfaqësimit të qytetarëve dhe vullnetit të tyre. Prandaj, me sistemin tonë elektoral, por edhe me sistemin politik parlamentar, është e rëndësishme që të krijohet një shumicë në Kuvend e cila doemos duhet të ketë 50%+1 të peshës politike për t’i krijuar institucionet e reja. Kjo është edhe arsyeja pse si për Kryeparlamentarin, ashtu edhe për Qeverinë kërkohet vota e 61 deputetëve, sepse sikur të merrej parasysh vetëm kush doli i pari në zgjedhje, atëherë nuk do të duhej fare të votoheshin propozimet dhe nuk do të kërkohej mbështetja nga kjo shumicë parlamentare. Kjo shumicë nuk mund të jetë, prandaj, as me 6%, as me 30%, as me 49% e as me 50%. Partia ose koalicioni i cili krijon 50%+1 të fuqisë politike në Kuvend fiton të drejtën e formimit të institucioneve shtetërore. Çdo shmangie nga ky parim elementar përbënë shkelje të sistemit politik të Kosovës dhe të normave themelore të demokracisë, që nënkupton respektimin e vullnetit të shumicës në Kuvend e jo të vullnetit të pakicës, edhe nëse ky vullnet do të përbënte 49.99%. Ne, si koalicion LDK-AAK-NISMA, bashkë me partnerët tanë, do të shkojmë në seancën e 12 shtatorit duke u bazuar në këto parime, pavarësisht se disa po dëshirojnë t’a shndërrojnë Kosovën në Bjellorusi (i vetmi vend në Evropë ku mandati i deputetit është detyrues dhe i takon partisë). Pavarësisht përpjekjeve të PDK-së, të cilat konkretizohen edhe nëpërmjet veprimeve të institucioneve të kapura, deputetët që e kuptojnë drejtë rëndësinë e demokracisë parlamentare, gjithnjë do ta kuptojnë se mandati i tyre është i lirë, i pakushtëzuar, dhe jodetyrues. Pra, nuk i përket partisë. Mandati i takon deputetit dhe vetëm deputetit që nga dita kur ai mandat fitohet, pra që nga dita e certifikimit të zgjedhjeve. Prandaj përpjekjet për ta zhvleftësuar këtë liri të veprimit që Kushtetuta ua ka dhënë deputetëve e kthen Kosovën prapa në kohën e komunizmit dhe shkelë çdo parim themelor të demokracisë parlamentare që është ndërtuar me aq mund për vite me radhë. Dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet t’ia dëshmojnë PDK-së dhe të gjithë atyre që zbatojnë urdhrat e saj se vullnetin e tyre politik nuk mund ta imponojë askush, ashtu siç nuk ka mundur të imponohet as me 2 korrik, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme, në oborrin e Kuvendit, shpallën Kosovën Republikë. Këta deputetë, përfaqësojnë rreth gjysmë milion votues dhe një shumicë parlamentare që mund të marrin vendimet më të rëndësishme për këtë vend, por mbi të gjitha përfaqësojnë një kauzë që i ka bashkuar duke i tejkaluar interesat e ideologjitë e ngushta, e ajo është luftimi i zaptimit të shtetit që ka ndodhur për interesa oligarkike.

 (Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës)

Demokracia Parlamentare


Nga libri "Demokracia Parlamentare" të autorit Prof. Arsim Bajrami


Kuptimi i demokracisë

Demokracinë e kuptojmë si tërësi vlerash demokratike, që nuk paraqesin një sistem ideal pa kundërthënie, por një sistem që mundëson kushtet reale për pjesëmarrjen sa më të gjerë të njerëzve në ushtrimin e punëve publike dhe ndërtimin e politikave publike, që synojnë krijimin e një mirëqenie të përgjithshme.Demokracia është sistem i qeverisjes që buron nga populli, funksionon me popullin dhe për popullin (Abraham Lincoln), ky përkufizim idealit bazohet në idenë e sovranitetit popullor, i cili siguron qeverisjen e drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve përfaqësuese të popullit. Ky koncept edhe se përfaqëson konceptin burimor nuk shpreh realitetin shoqëror, i cili është përplot kundërthënie konflikte interesash dhe pluralitetet e diversitetet shoqërore.Demokracia në fakt nënkupton sistemin që akcepton tërësinë e vlerave qytetëruese të cilat sigurojnë mirëqenien individuale dhe publike, krijimin dhe funksionimin e politikave publike nga qytetarët përmes institucioneve demokratike.Në doktrinat bashkëkohore politike dominojnë qasjet realiste për demokracinë, të cilat lënë anash parimin e “sovranitetit popullor” dhe në epiqendër vendosin qytetarin, emancipimin politik të tij dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në ndërtimin e politikave publike dhe zgjedhjen e organeve përfaqësuese.

Përkufizimi i demokracisë

Sipas definicionit ontologjik, në fjalorët e ndryshëm gjuhësor, demokracia “është qeverisje e popullit, ku pushtetit suprem i takon popullit, i cili atë e ushtron vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur në sistemin e lirë zgjedhor”.Në përkufizimin juridik të demokracisë përmenden dy elemente të demokracisë: e para, ajo shpreh vullnetin politik të shumicës së popullit si bartës i pushtetit politik , dhe e dyta, realizimi i këtij vullneti konsiston në lidhjen e funksionimit të shtetit me popullin, i cili duhet të siguroj zbatimin e vullnetit të tij.Në esencë demokracia është tërësi e ideve dhe parimeve për lirinë. Ajo institucionalizon lirinë dhe krijon kushte për realizimin e saj. Duke pamundësuar tiraninë dhe shtypjen, demokracia afirmon lirinë e popullit, vetëvendosjen e tij dhe institucionet politike popullore, “të cilat dalin nga populli dhe punojnë për të”.(Xhon Stjuard Mill)Botëkuptimi tradicional dhe klasik i demokracisë, si sistem i qeverisjes së popullit, sot në kushte të një zhvillimi të lartë ekonomik, teknologjik dhe kulturor, është mjaft abstrakt, madje edhe fizikisht i pamundur të realizohet.Në kuptimin politik demokracia mund të përkufizohet në kuptimin e gjerë dhe kuptimin e ngushtë.Në kuptimin e ngushtë demokracia nënkupton sistemin politik në të cilin sigurohet qeverisja-sundimi në emër të shumicës së popullit, sistem me të cilin, me kushtetutë dhe ligj është siguruar mundësia reale që qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, të marrin pjesë aktive në jetën politike dhe të kenë ndikim në të gjitha format e vendosje politike.Në kuptimin e gjerë demokracia nënkupton marrëdhëniet demokratike në të gjitha sferat e jetës shoqërore, funksionimin e institucioneve politike në kuadër të rregullave të shtetit ligjor, si dhe pozitën aktive dhe liritë politike të qytetarit si subjekt i jetës politike.Demokracia dhe parlamentarizmi janë të ndërlidhura ngushtë në mes veti, në kuptim më të gjerë demokracia nënkupton parlamentarizmin dhe pluralizmin, si proces politik përmes të cilave artikulohet vullneti politik i qytetarëve.Parlamentarizmi krahas sovranitetit popullor, shtetit ligjor dhe qytetarit të lirë, paraqet element themelor të çdo sistemi dhe rendi demokratik.Me parlamentarizëm në kuptimin e përgjithshëm nënkuptohet një sistem përfaqësues në të cilin parlamenti si organ qendror i zgjedhur, luan rol qendror në procesin e marrje së vendimeve të rëndësishme politike.

Atributet themelore të demokracisë dhe shtetit demokratik

Sistemi dhe rendi demokratik presupozon ekzistimin dhe sigurimin e parakushteve të cilat mundësojnë zhvillimin e marrëdhënieve demokratike. Atributet themelore të demokracisë janë:• Sovraniteti popullor;• Qeverisja e së drejtë përkatësisht shteti ligjor;• Ndarja dhe kufizimi i pushtetit shtetëror;• Zgjedhjet e lira , të drejtpërdrejta dhe pluraliste;• Sigurimi dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve;• Pluralizmi politik dhe ekonomik;• Përgjegjësia politike;• Procedura demokratike e marrje së vendimeve;• Kultura dhe toleranca politike.

1. Sovraniteti popullor nënkupton realizimin e vullnetit politik të popullit nëpërmjet konceptit të qeverisjes së shumicës, që realizohet drejtpërdrejtë nga qytetarët ose nëpërmjet organeve përfaqësuese të zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët. Krahas vullnetit të shumicës, duhet të krijoj edhe hapësirë politike edhe për artikulimin politik të pakicës dhe të inkorporoj atë në jetën politike.2. Shteti ligjor nënkupton respektimin e parimit të ligjshmërisë. I gjithë pushtetit shtetëror duhet të del nga ligji dhe bazohet në të. Legjitimiteti i pushtetit buron nga populli dhe ligji. Populli legjitimon pushtetin dhe organet e tij, duke u dhënë votën e tij mandat për qeverisje ndërsa organet e zgjedhura në mënyrë demokratike, duhet të organizohen në mënyrë demokratike dhe të sigurojnë mekanizma institucional për realizmin e interesave të përgjithshme shoqërore. Shteti ligjor si koncept modern nënkupton shtetin demokratik të bazuar në të drejtat e qytetarëve, që të zgjedhin organet dhe institucionet përfaqësuese në një anë dhe obligimet e këtyre organeve që në punën e tyre të kufizohen me autorizimet e tyre që burojnë nga ligji. Element themelor i konceptit të shtetit ligjor është ndarja dhe kufizimi i pushtetit shtetëror. Asnjë pushtet nuk është absolut, ai kufizohet nga ligji, i cili cakton kornizën e fushëveprimit të tij. Gjyqësia e pavarur është institut i shtetit ligjor dhe demokratik, që duhet të sigurojë mbrojtjen e qytetarëve nga arbitrariteti i pushtetit, mbrojtjen efikase të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe arbitrimin objektiv të gjykatave, në zgjedhjen e kontesteve publike dhe private. Pavarësia e gjyqësisë realizohet duke siguruar pavarësinë e gjyqtarëve, të cilët në punën e tyre duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria paraqet esencën e shtetit ligjor, i cili është në funksion të realizimit të së drejtës.3. Parimi i ndarjes dhe i kufizimit të pushtetit është një nga parakushtet elementare të demokracisë. Vendosja e një ekuilibri midis tre pushteteve është bazë për funksionimin e demokracisë në një shtet. Balanca dhe ekuilibri i pushteteve në shtetet demokratike parlamentare duhet të arrijë dy qëllime: e para të siguroj pavarësinë e pushteteve dhe e dyta të kufizojë pushtetet, duke përcaktuar mekanizma të kontrollit të tyre reciprok. Varësisht nga mënyra e përcaktimit të balancës midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, funksionojnë tri modele të qeverisjes shtetërore: sistemi parlamentar, presidencial dhe i kombinuar.4. Zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe demokratike paraqesin institucionin qendror të sistemeve demokratike. Zgjedhjet e lira dhe demokratike, sigurojnë konkurrencën midis subjekteve me opsione dhe alternativa të ndryshme politike. Në demokraci nuk ka mandate të përhershme , të gjitha organet dhe bartësit e pushtetit, marrin votëbesimin për interval të caktuar kohor, pas skadimit të cilët duhet sërish t’i nënshtrohen procesit zgjedhor. Zgjedhjet në sistemet demokratike nuk janë vetëm instrument i legjitimitetit të pushtetit dhe zgjedhjes së organeve shtetërore, por edhe mjet përmes të cilit qytetarët me referendum dhe forma tjera të deklarimit personal marrin pjesë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve politike.5. Sigurimi dhe garantimi i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit është në funksion të personalitetit dhe rolit aktiv të qytetarit në jetën politike. Liritë dhe të drejtat e qytetarit dhe sigurimi i mekanizmave kushtetues, për mbrojtjen e tyre janë tregues i mirëfilltë i demokratizimit të shoqërisë. Për sigurimin e rolit aktiv të qytetarit në shoqëri, rëndësi të posaçme kanë të drejtat dhe liritë politike, siç janë: liria e të menduarit, liria e bashkimit politik, liria e fjalës, e shtypit, e informimit etj.6. Pluralizmi politik dhe ekonomik është negacion i monizmit është një parakusht tjetër i demokracisë. Pluralizmi politik nënkupton mundësinë e lirë të veprimit të partive politike si forma institucionale të artikulimit të aspiratave të tyre politike dhe si subjekte themelore të jetës parlamentare. Pluralizmi afirmon shprehjen e lirë të qëndrimeve, alternativave dhe opsioneve të ndryshme politike, ballafaqimin dhe konkurrencën e tyre. Pluralizmi ekonomik mundëson konkurrencën ekonomike në mes formave të ndryshme të pronësisë si dhe funksionimin e sistemit ekonomik sipas ligjeve ekonomike të tregut të lirë.7. Përgjegjësia politike paraqet një mjet të fuqishëm të presionit dhe kontrollit shoqëror ndaj institucioneve politike. Krahas publicitetit të punës, ky parim është në funksion të efikasitetit, ligjshmërisë dhe shoqërizimit të këtyre institucioneve, të cilat së fundi duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të realizimit të interesave të përgjithshme. Krahas autorizimeve, bartësit e institucioneve publike nga trupi elektoral që i ka zgjedhur ngarkohen me përgjegjësi politike, prandaj sistemet demokratike afirmojnë dhe zhvillojnë institucionin e përgjegjësisë politike si mjet të kontrollit shoqëror të punës së institucioneve politike dhe bartësve të titullarëve të funksioneve politike dhe publike.8. Procedura demokratike e marrje së vendimeve synon të respektoj rregullat dhe veprimet institucionale, në marrjen e vendimeve politike. Këto rregulla paraqesin rregulla të sjelljes , në shoqëri të cilave duhet t’i përmbahen të gjithë pjesëmarrësit e jetës politike. Procedura demokratike e marrje së vendimeve lufton anarkinë dhe sjelljen arbitrare të organeve shtetërore dhe qytetarëve. Vendimet në organet shtetërore dhe institucionet publike merren në procedurë kushtetuese dhe ligjore, çdo vendim i marrë jashtë procedurës ligjore dhe demokratike, nuk është valid dhe nuk mund të prodhon pasoja juridike për qytetarët. Vendimet politike duhet të synojnë realizimin e interesave të qytetarëve në një anë dhe interesin e përgjithshëm shoqëror në anën tjetër.9. Kultura dhe toleranca politike konsiston në sjelljen në pajtim me praktikën dhe normat me të cilat vërtetohet aftësia e popullit, që të qeverisë me veten. Toleranca politike si element i demokracisë kupton sjelljen korrekte të jetës politike, respektimin e tyre reciprok dhe gatishmërinë për të bërë kompromise politike. Kompromiset politike janë instrumente për arritjen e qëllimeve politike dhe për gjetjen e zgjedhjeve të mundshme. Kompromiset në jetën politike nuk “janë alternativë, por një domosdoshmëri e sjelljes politike”. (Douglas K. Stevenson)
__________________
Tipet-llojet e demokracisë

Ekzistojnë klasifikime të ndryshme të demokracisë dhe sistemeve demokratike duke marrë për bazë tri kritere kryesore: kriterin historik; raportin e demokracisë me marrëdhëniet shoqërore dhe mënyrën e realizmit të demokracisë.1. Në bazë të kriterit historik janë të njohura katër lloje të sistemeve demokratike: demokracia e poliseve greke; demokracia liberale borgjeze, demokracia socialiste e bazuar në diktaturën e proletariatit dhe demokracia bashkëkohore e bazuar në konceptin e shtetit modern juridik.2. Sipas raportit të demokracisë me raportet shoqërore dallojmë demokracinë fiktive, formale dhe reale.Sistemet demokratike fiktive konsiderohen ato sisteme të cilat kanë mos përputhje të plotë në mes parimeve demokratike, të proklamuara me aktet juridike dhe politike, të një shtetit dhe praktikës së shkeljes flagrante të këtyre parimeve.Demokracia formale është karakteristik a atyre sistemeve politike dhe shoqërore, ku formalisht me akte kushtetuese dhe ligjore proklamohen parimet demokratike, kurse në jetën e përditshme këto parime jo vetëm që nuk realizohen, por cenohen dhe shkelen nga organet dhe institucionet e shtetit.Demokracia reale bazohet në përputhjen e parimeve demokratike, të proklamuara me akte juridike dhe politike, të një shteti me jetën reale, ku këto parime sendërtohen në marrëdhëniet konkrete shoqërore, ë sjelljet dhe veprimin e organeve dhe institucioneve shtetërore dhe ato akceptohen në vetëdijen politike të qytetarëve, si rregulla të mirësjelljes që duhet të sigurojnë prosperitetin e përgjithshëm.

Demokracia e drejtpërdrejtë

Demokracia e drejtpërdrejtë bazohet në qeverisjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe popullit me pushtetin shtetëror. Esenca e saj më së miri shprehet në parimin se “sovraniteti buron nga populli dhe i takon atij”.Esenca e demokracisë së drejtpërdrejtë konsiston në të vendosurit burimor të popullit dhe qytetarëve në jetën politike. Kjo vendosje bëhet me deklarimin personal të qytetarëve. Format më të njohura të realizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë janë: referendumi, plebishiti, iniciativa popullore, tubimet e zgjedhësve dhe forma të tjera të deklarimit personal të qytetarëve.

Referendumi

Referendumi nënkupton deklarimin e drejtpërdrejtë personal të qytetarëve për ndonjë akt të cilën organi kompetent shtetëror duhet të merr vendim para ose pas deklarimit të qytetarëve apo zgjedhësve.Sipas llojit të aktit (lëndës), për të cilin vendoset në referendum dallojmë: referendum kushtetues, legjislativ, statusor dhe referendum lokal.Referendumi kushtetues është deklarimi i drejtpërdrejtë i popullit për aktin themeltar të shtetit, për kushtetutën.Referendumi legjislativ konsiston në pjesëmarrjen dhe vendosjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe popullit në procesin legjislativ. Kjo pjesëmarrje mund të jetë e shprehur në dy mënyra: në miratimin e drejtpërdrejtë të ligjeve në referendum dhe në dhënien paraprake të pëlqimit të popullit për nxjerrjen e ligjeve.Referendumi politik-statusor paraqet formën kryesore dhe më të shpeshtë, të deklarimit të qytetarëve, ky përfshin marrjen e vendimeve me të rëndësishme politike që përcaktojnë statusin politik të shtetit.Referendumi lokal paraqet deklarimin e qytetarëve, në njësitë administrative lokale, për çështjet e ndryshme nga fushëveprimi i organeve lokale të pushtetit.Në bazë të karakterit dhe pasojave juridike të vendimit të marrë në referendum dallojmë: referendumin e detyrueshëm (imperativ); fakultativ, dhe referendumin konsultativ.Referendumi i detyrueshëm (imperativ) ekziston në ato raste kur miratimin e një akti juridik apo vendosjen për çështje politike me kushtetutë apo ligj caktohet shprehimisht vendosja në referendum. Vendimi i marrë në referendum obligon organet shtetërore të marrin vendimin në pajtim me rezultatet e referendumit.Referendumi fakultativ paraqet formë të deklarimit të drejtpërdrejt të qytetarëve, që nuk obligon organet shtetërore që ta shpallin atë me rastin e marrjes së ndonjë vendimi nga fushëveprimi tyre. Vendimi i marrë në referendum ka efekt detyrues dhe pasoja të njëjta juridike sikurse referendumi detyrues. Referendumi fakultativ gjen zbatim kur për ndonjë akt juridik ose vendim publik në opinionin publik ka divergjenca dhe mos pajtime të shprehura.Referendumi konsultativ ose këshillëdhënës shprehet në dy fakte kryesore, shpallja e tij nuk është detyrim ligjor i organeve shtetërore dhe rezultatet e tij kanë karakter këshillëdhënës dhe jodetyrues. Ko formë gjen zbatim kur organet para se të marrin ndonjë vendim dëshirojnë të njihen me mendimin dhe vullnetin e trupit elektoral.

Plebishiti

Plebishiti është formë e realizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë të popullit dhe vendosjes për një çështje më të rëndësishme politike të një shteti. Plebishiti është formë e referendumit, për dallim nga referendumi ku qytetarët deklarohen për një akt konkret juridik dhe normativ, me plebishit bëhet deklarimi për çështjet siç janë forma e regjimit politik, bashkimi apo ndarja e territorit etj, pra nuk ka për lëndë të deklarimit ndonjë akt juridik ose politik, or çështjet që janë të lidhura me strukturën e shtetit dhe mënyrën e qeverisjes. Plebishit me tepër vihet aksenti në deklarimin popullor se sa atë qytetar.

Iniciativa popullore

Iniciativa popullore si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë, nënkupton të drejtën e trupit elektoral, që të marrë iniciativë për fillimin e procedurës për nxirrje të kushtetutës, ligjit apo ndonjë tjetër akt juridik apo për zgjedhjen apo shkarkimin e funksionarëve politik nga funksionet publike.

Përparësitë dhe vështirësitë e realizimit të konceptit të demokracisë së drejtpërdrejtë

Përparësitë e demokracisë së drejtpërdrejtë janë tri:1. Vendosja burimore e popullit,2. Depolitizomi i vendimeve politike,3. Shoqërizimi i përgjegjësiveVendimi politik i marrë drejtpërdrejtë nga populli është shprehje e drejtpërdrejtë e disponimeve dhe dëshirave burimore të popullit. Vendimet politike që merren me demokraci të drejtpërdrejtë janë të liruara nga interesat e ngushta politike dhe partiake. Vështirësitë e demokracisë së drejtpërdrejtë janë:1. Ngadalësia e marrjes së vendimeve politike,2. Shpenzimet-kostoja e lartë e procesit të vendimmarrjes,3. Mungesa e kompetencës profesionale në vendimmarrjen politikeVendimet politike që dalin nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë marrin kohë dhe përfshijnë tri faza, marrjen e vendimit nga parlamenti për shpallje të referendumit për çështje kushtetuese dhe politike, përgatitja teknike për mbajtje të referendumit, regjistrimi i qytetarëve me të drejtë vote dhe deklarimi i qytetarëve, që normalisht ky proces zgjatë së paku tre muaj. Zbatimi i referendumit paraqet një proces që implikon shpenzime dhe ngarkime buxhetore ndërsa vendimet e marra në referendum kanë karakter popullor dhe mungon kompetenca profesionale.

Demokracia parlamentare (përfaqësuese)

Esenca e demokracisë parlamentare konsiston në realizimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve, nëpërmjet institucioneve dhe trupave përfaqësues të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga popullit.Sovraniteti dhe qeverisja e popullit nuk sendërtohet drejtpërdrejtë nga populli por përmes organeve përfaqësuese të zgjedhura nga populli dhe të fuqizuara me mandatin për qeverisjen e shtetit.Demokracia parlamentare funksionon dhe realizohet në ndërlidhjen e ngushtë të tri institucioneve themelore: trupit elektoral, organit përfaqësues dhe qendrës së vendosje politike. Trupi elektoral është bartës i pushtetit sovran, pasi që këtë pushtet nuk mund ta ushtroj drejtpërdrejtë, ai zgjedh përfaqësuesit e tij që përbëjnë organin përfaqësues-parlamentin. Ky trup përfaqësues nga trupi elektoral ngarkohet me mandatin dhe përgjegjësinë e qeverisjes së shtetit në afat të caktuar kohor. Roli i trupit elektoral në sistemin e demokracisë parlamentare është i dyfishtë: ai zgjedh organet përfaqësuese, duke i ngarkuar me mandat dhe përgjegjësi për qeverisje të shtetit dhe ushtron kontrollin politik ndaj punës së tyre përmes zgjedhjeve.

Përparësitë dhe vështirësitë në implementimin e demokracisë përfaqësuese

Përparësitë e demokracisë përfaqësuese janë:1. Vendimmarrje e shpejtë, në procedurë parlamentare;2. Vendimmarrja parlamentare trajtohet si qeverisje kompetente dhe shpreh përgjegjësi më të lartë profesionale;3. Siguron konkurrencën dhe alternativa politike në procesin e vendimmarrjes, që shprehen në raportet pozitë opozitë.Vështirësitë e demokracisë përfaqësuese:1. Vendimmarrja politike parlamentare shpreh vullnetin politik të shumicës parlamentare, e cila jo rrallë herë shpreh vullnetin e shumicës së qytetarëve;2. Vendosja parlamentare shpeshherë është e përkohshme sepse ajo i nënshtrohet verifikimit, ndryshimit, reformimit me rastin e rotacionit politik;3. Vendimmarrja parlamentare shpesh bije në krizë si rezultat i krizave parlamentare.

Demokracia mazhoritare dhe konsensuale

Demokracia mazhoritare (e shumicës) bazohet në konceptin e qeverisjes së shumicës. Nënkupton ekzistimin e shumicës stabile parlamentare, e cila zgjedhë qeverinë dhe realizon programin qeveritar të qeverisjes, që ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kjo formë e demokracisë është tipike për sistemet parlamentare dypartiake ku vlen parimi fituesi merr të gjitha, humbësi kalon në opozitë dhe nuk merr pjesë në qeveri.Demokracia konsensuale funksionon në shoqëritë heterogjene politike. Demokracia konsensuale imponon nevojën e ndërtimit të koalicioneve parlamentare dhe qeveritare si formë e bashkimit të disa alternativave politike në një program qeveritar, që reflekton në shumicë parlamentare.
__________________

SHTETI LIGJOR

Kuptimi i shtetit ligjor

Koncepti i shtetit ligjor është mjaft kompleks dhe shumëdimensional. Ai përfshinë në vete tërësinë e parimeve juridiko-politike, me të cilat sigurohet sundimi i ligjit në shoqëri. Sundimi i ligjit përkatësisht qeverisja e të drejtës nënkupton, superioritetin e ligjit ndaj qytetarëve dhe ndaj vet shtetit, si autorë të tij.Duke siguruar qeverisjen e të drejtës në shoqëri, shteti demokratik përcakton rregullat e sjelljes së qytetarëve , liritë dhe të drejtat e tyre, instrumentet ligjore me të cilat ata realizojnë liritë dhe të drejtat e tyre, si dhe mjetet me të cilat ata mbrojnë lirinë dhe dinjitetin e tyre, që mund të cenohet me sjelljen e të tjerëve, përkatësisht dhuna dhe keqtrajtimi, që qytetarët mund të pësojnë nga vet shteti.Dimensioni esencial i konceptit juridik të shtetit, paraqet institucionalizimin e pushtetit ligjor. Institucionet demokratike dhe ligjore, duhet të shprehen përmes tri atributeve themelore: legjitimitetit, autoritetit dhe fuqisë politike.Legjitimitetit paraqet parakusht për funksionimin demokratik shtetit dhe instrument me të cilin sigurohet kredibiliteti politik i institucioneve shtetërore, legjitimiteti i institucioneve demokratike buron nga populli, përkatësisht nga trupi elektoral. Legjitimiteti buron nga vet populli, i cili përmes verdiktit të tij zgjedh organet legjitime në zgjedhjet periodike.Autoriteti paraqet elementin e dytë të funksionimit të institucioneve shtetërore në kuadrin e konceptit të shtetit ligjor. Pas krijimit të legjitimitetit demokratik, institucionet shtetërore kanë autoritetin ligjor të përcaktuar me kushtetutë dhe ligj. Autoriteti e ka burimin në kushtetutë dhe ligj, prandaj edhe iu nënshtrohet atyre. Kushtetuta dhe ligji duke përcaktuar autoritetin e pushtetit dhe institucioneve demokratike, njëkohësisht bëjnë edhe kufizimin e tyre dhe sigurojnë një proces të kufizimit të pushtetit.Fuqia politike paraqet tërësinë e kompetencave të organeve dhe institucioneve shtetërore. Fuqia politike varet nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore të shtetit, forma e qeverisjes, ndarja e pushteteve, raportet midis tre pushteteve, instrumentet e kontrollit reciprok etj.

Elementet e shtetit ligjor

Shteti ligjor paraqet një koncept të gjerë juridiko-politik, i cili në vete ngërthen një varg parimesh me të cilat sigurohet sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet demokratike në shoqëri. Ndër parimet kryesore të shtetit ligjor, janë: parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, barazia para ligjit dhe parimi i mos diskriminimit, liritë dhe të drejtat e qytetarit dhe minoriteteve, ndarja dhe kufizimi i pushteteve, depolitizomi i shërbimeve publike të shtetit, gjyqësia e pavarur, shoqëria civile, etj.

Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria

Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë dy parime fondamentale të shteteve të shteteve demokratike. Funksioni kryesor i këtyre dy parimeve juridike dhe politike është sigurimi i qeverisjes së të drejtës në shoqëri.Me kushtetutshmëri në kuptimin pozitiv-juridik, nënkuptohet harmonizimi i të gjitha akteve juridike me kushtetutën. Ky aspekt bazohet në hierarkinë juridike me të cilën nënkuptohet harmonizimi i të gjitha akteve më të ulëta me ato më të larta.Përderisa kushtetuta në kuptimin formal është akt më i lartë juridik i një shteti, kushtetutshmëria është proces me të cilin nënkuptohet respektimi i kushtetutës dhe harmonizimi i të gjitha akteve juridike me aktet me fuqi më të lartë juridike.Kuptimi politik i kushtetutshmërisë konsiston në rolin e saj në kufizimin e pushteti shtetëror, kufizimin e funksioneve të organeve dhe institucioneve shtetërore publike, në përcaktimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të individit dhe qytetarit etj.

Barazia para ligjit dhe parimi i mosdiskriminimit

E drejta e barazisë përpara ligjit, ose siç thuhet shpesh mbrojtja e njëllojtë nga ligji, përbën themelin e një shoqërie të drejtë e demokratike. Pavarësisht nëse janë të varfër apo të pasur, shumicë etnike apo pakicë fetare, aleatë politikë të shtetit apo kundërshtarë të tij, të gjithë shtetasit kanë të drejtën për mbrojtje të njëllojtë përpara ligjit. Shteti demokratik nuk mund të garantojë se jeta do të sillet me të gjithë njëlloj, madje nuk ka as edhe përgjegjësi për një gjë të tillë. Megjithatë, siç shkruan edhe eksperti i së drejtës kushtetuese, Xhon P. Frenk, “Shteti nuk duhet të lerë vend kurrsesi për padrejtësi. Atij i duhet kërkuar që të gjithë shtetasit t'i trajtojë në mënyrë të njëllojtë dhe të barabartë.” Askush nuk mund të vihet mbi ligjin, i cili është, në fund të fundit, fryt i popullit dhe jo diçka e imponuar mbi të. Shtetasit e një vendi demokratik i nënshtrohen ligjit, pasi e kanë të qartë se, duke qenë ligjvënës, ata po i nënshtrohen vetvetes, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur ligjet i vendos populli, i cili më pas i nënshtrohet atyre, kjo është në të mirë të ligjshmërisë dhe të demokracisë.Barazia formale e njerëzve para ligjit paraqet standardë ndërkombëtar, ku është përcaktuar në Deklaratën universale për të drejtat e njeriut të vitit 1948 si dhe me konventat dhe deklarata e miratuara më vonë.

Gjyqësia e pavarur

Pavarësia e gjyqësisë, nënkupton ekzistimin e gjykatave të pavarura dhe punën e tyre në pajtim me ligjin. Ky parim nënkupton vënien e gjyqësisë nën ligj, në të cilën mënyrë përjashtohet arbitrarizmi dhe oportuniteti në punën e gjyqësisë.Pavarësia e pushtetit gjyqësor si koncept dhe si proces përbëhet nga sërë elementesh dhe kushtëzohet nga marrja e një sërë masash dhe kushtesh, ku më themeloret janë: pavarësia e gjyqësorit nga legjislativi dhe ekzekutiv; depolitizomi i gjykatave-mos involvimi i anëtarëve të gjykatave në mënyrë të drejtpërdrejt dhe aktivisht në jetën politike; respektimi i procedurave gjyqësore etj.Pavarësia individuale për gjykatësin do të thotë se ai nuk mund të largohet apo të ndërrohet nga funksioni i tij pa dëshirën e tij. Ai mund të largohet nga detyra e tij vetëm në rast të largimit të qartë nga drejtësia apo në rast të korrupsionit, dhe atë vetëm përmes një procedure të veçantë gjyqësore. Pavarësia objektive i garanton gjykatësit që gjatë kryerjes së detyrës së tij, të mos jetë i nënshtruar ndaj asnjë direktive. Ai ka për detyrë t'i shërbej vetëm ligjit dhe drejtësisë, e këtë ai duhet ta interpretoj pa qenë i urdhëruar gjatë marrjes së vendimeve të tij nga prokuroria, qeveria apo nga një gjykatë tjetër e lartë. Gjykatësit mund të zgjidhen ose të emërohen në detyrë dhe mund ta ushtrojnë atë për një periudhë të caktuar ose përgjithmonë. Pavarësisht nga mënyra se si caktohen në detyrë, rëndësi ka që ata të jenë të pavarur nga autoritetet politike shtetërore, pasi vetëm kështu mund të arrihet paanshmëria në punën e tyre

Depolitizimi i shërbimeve (administratës) publike

Shërbimet publike paraqesin funksione të shtetit, të cilat kanë për qëllim ofrimin e kushteve për realizimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Depolitizimi i këtyre shërbimeve është pjesë e konceptit ligjor dhe në funksion të efikasitetit, objektivitetit, rritjes dhe paanshmërisë në kryerjen e shërbimeve publike, ku mbrohen nga ndikimet e rrotacionit politik pas zgjedhjeve dhe vihen në shërbim të qytetarëve. Depolitizimi i policisë dhe ushtrisë është parakusht esencial për funksionimin e shtetit ligjor dhe për krijimin e mekanizmave të sigurisë së përgjithshme, të cilat do të mbrojnë individin dhe shtetin në mënyrë të paanshme.

Shoqëria civile

Shoqëria civile nënkupton strukturat jo shtetërore dhe jo qeveritare të cilat reflektojnë mendimin e lirë dhe të pavarur të qytetarëve, si dhe artikulimin e interesave të tyre në mënyrë të lirë. Shoqëria civile në radhë të parë mbron individin, lirinë e tij dhe të drejtën që jashtë strukturave politike të artikuloj interesat e grupeve të qytetarëve dhe në rrugë institucionale të angazhohen për realizimin e tyre.

Thursday, October 2, 2014

Konkurs për Bursa vetëm për studentët e Komunës së Rahovecit

Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) zyra në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Rahovecit dhe institucione tjera të nivelit qendror, ka hartuar Planin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit. Ky plan është hartuar në kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në shtatë komuna të ndryshme të Kosovës. Një nga prioritetet e këtij plani në Komunë të Rahovecit është edhe projekti “Stimulimi me bursë për studentë të Komunës së Rahovecit në fushën e trashëgimisë kulturore”, për të cilën shpallet:


KONKURS PËR BURSA

Bursa universitare ndahet për vitin akademik 2014-2015 për studentët e Komunës së Rahovecit të studimeve themelore (bachelor) dhe atë në drejtime që kanë lëndë të trashëgimisë kulturore, si: Antropologji, Arkeologji, Arkitekturë, Etnologji, Histori, etj. Për fitimin e bursës universitare studentët duhet t’i plotësojnë këto kushte:

1. Të jenë studentë të rregullt të universiteteve publike në Kosovë;
2. Të jenë studentë të vitit të dytë e më lart;
3. Të mos kenë vit të përsëritur të studimeve;
4. Të kenë notë mesatare të studimeve më së paku 8.50.

Studentët të cilët i plotësojnë kushtet e mësipërme duhet t’i paraqesin këto dokumente:

1. Letër motivimi për interesim të studentit në lëmitë e trashëgimisë kulturore (maks. 1 faqe A4)
2. Certifikatën e vitit të regjistruar akademik 2014-2015, duke cekur: a) se është student/e i/e vitit të dytë e më lart b) notën mesatare gjatë studimeve c) se nuk ka vit të përsëritur gjatë studimeve
3. Certifikata e notave (origjinale)
4. Kopja e indeksit me të gjitha provimet e dhëna
5. Certifikata mbi vendbanimin e përhershëm nga Komuna e Rahovecit
6. Kopja e letërnjoftimit

Lartësia e bursës do të caktohet varësisht nga buxheti i projektit dhe numrit të studentëve të përzgjedhur që i plotësojnë kushtet për fitimin e bursës.

Studentët që janë në marrëdhënie të përhershme pune nuk mund të jenë përfitues të bursës. Bursat ndahen për afatin kohor: 01.09.2014 deri më 30.06.2015 (për dhjetë muaj).

Të gjitha dokumentet e kompletuara duhet të paraqiten në zyren e CHwB-së në Kosovë në një zarfë të mbyllur me mbishkrim BURSA RAHOVEC në adresën Qyteza Pejton – Rruga Radovan Zogovic, nr.8, 10.000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Afati i paraqitjes zgjat deri më 15.10.2014. Vendimi i komisionit përzgjedhës do të publikohet në ueb faqen www.chwb.org/kosovo.

Monday, August 18, 2014

Ç’janë tatimet dhe taksat?


Tatimet dhe Taksat

Tatim dhe taksë quhet çdo pagesë e detyrueshme me ligj, që bëjnë në favor të buxhetit të shtetit, personat fizik e juridik të një vendi, në bazë të të ardhurave ose të pasurisë që ata kanë, të konsumit të mallrave e të shërbimeve që përfitojnë. Ato përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave në buxhetin e shtetit (mbi 90%). Në shumicën e rasteve termat “tatim” dhe “taksë” përdoren me të njëjtin kuptim, megjithëse tatimet paguhen më tepër në bazë të të ardhurave ose fitimeve që realizohen dhe mallrave që konsumohen, kurse taksat paguhen për shërbimet e ndryshme që autoritetet shtetërore u bëjnë qytetarëve të tyre.

Tatimet dhe taksat duhet t’i përgjigjen katër parimeve:

- Parimit të ligjshmërisë, sipas të cilit rregullat, vlerat dhe mënyrat e mbledhjes së tatimeve e taksave të të gjitha llojeve duhet të fiksohen nëpërmjet ligjit, domethënë të votohen në parlament.

- Parimit vjetor, sipas të cilit parlamenti duhet t’i jap çdo vit qeverisë autorizimin e mbledhjes së tatimeve e taksave.

- Parimit të barazisë, sipas të cilit kontributi i përbashkët duhet të jetë gjithashtu i shpërndarë midis qytetarëve për shkak të mundësive të tyre

- Parimit të nevojës.

Janë dy grupe të mëdha të tatimeve dhe taksave: ato direkte dhe ato indirekte. Në tatimet dhe taksat direkte përfshihen ato tatime e taksa që llogaritem mbi të ardhurat, fitimet, pasuritë e paluajtëshme dhe shërbimet publike të personave konkret fizik e juridik dhe duhet të derdhën në buxhetin e shtetit po prej tyre. Në tatimet dhe taksat direkte përmëndim: tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi pasurinë etj Tatimet dhe taksat direkte mund të vendosen në mënyrë proporcionale (të njëjtën përqindje për të gjithë kontribuesit) ose progresive (përqindja rritet në përputhje me shumën që tatohet)

Tatimet dhe taksat indirekte quhen ato që përfshihen në madhësinë e çmimit të produkteve, të mallrave e të shërbimeve të ndryshme, dhe paguhen  si pjesë e këtyre çmimeve nga konsumatorët dhe derdhen në buxhetin e shtetit nga ata persona që janë shitës të produkteve, mallrave e sherbimeve. Në tatimet dhe taksat indirekte përmëndim: tatimi mbi vlerën e shtuar, taksën doganore, akciza, etj.

Tatimet dhe taksat në çdo vend grupohen në kombëtare (qëndrore) dhe lokale, duke u nisur nga autoritet që i vendosin dhe i arkëtojnë.

Proporcionaliteti dhe progresiviteti janë dy mënyra të llogaritjes së vlerës së tatimeve e taksave. Këto përbëjnë aktualisht debatin mbi qëllimin dhe drejtësinë e sistemit fiskal.

- Një tatim proporcional aplikohet me koeficientë të njëjtë të tatimit ndaj asaj që përbën bazën e tatimit. (për shëmbull, tatimi mbi shoqëritë). Baza e tatimit është vlefta ekonomike (e të ardhurave, pasurisë), që shërben si bazë e llogaritjes së tatimit. Partizanët e proporcionalitetit konsiderojnë se kjo është mënyrë e drejtë llogaritje, sepse sejcili kontribuon në proporcion të njëjtë me të ardhurat e tij. Ata mendojnë gjithashtu që kjo mënyrë favorizon neutralitetin fiskal (deformimet e kufizuara prej zgjedhjes ekonomike të agjentëve, mungesa sidomos e efekteve të pragut). Tatimet proporcionale janë përgjithësisht më të thjeshta për t’u vendosur, dhe si të tilla më pak të kushtueshme për t’u mbledhur.

- Me tatimin progresiv, koefiçienti i tatimit rritet mbi shumën që tatohet (për shëmbull, tatimi mbi të ardhurat: sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më i rëndësishëm është pjesa që merret në formën e tatimit. Në rastin e progresivitetit, përveç koefiçientit, përdoren elementë të tjerë për vlerësimin e tatimit, si: minimumi i fillimit të tatitimit apo pragu. Tatimi progresiv mund të konsiderohet si i drejtë në masën që mundëson një rishpërndarje të pasurive dhe një reduktim të pabarazive. Përkundrazi, një progresivitet i fortë perceptohet prej disave si një element dekurajues i punës suplementare ose investimit.