Saturday, October 4, 2014

Parimet e Demokracisë Parlamentare


Shkrim nga Vjosa Osmani, botuar në gazetën "Tribuna" me 9 Shtator 2014.

Shumica parlamentare (50+1%) është jetike për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Nëse marrim një shembull hipotetik ku 20 parti konkurrojnë në zgjedhjet e përgjithshme, dhe nga to 18 parti marrin nga 5%, njëra merr 4%, ndërsa partia e fundit merr 6%, a do të thotë kjo se partia e fundit (me vetëm 6%) të votave është parti e cila duhet t'i udhëheqë institucionet shtetërore, sepse ka dalë me 1% më shumë? Kjo do të mund të ndodhte nëse Kosova do të kishte sistem pluralist të zgjedhjeve bazuar në formulën ‘First Past the Post’, ku partia e cila del e para me vota, pa marrë parasysh përqindjen e votave ose dallimin me partitë e tjera, konsiderohet se i merr 100% të votave, pra merr gjithçka, dhe rrjedhimisht e fiton të drejtën e formimit të institucioneve dhe të udhëheqjes së tyre. Për fat të mirë, në Kosovë (njëjtë si edhe në shumicën dërmuese të shteteve evropiane) nuk është zgjedhur një sistem i tillë elektoral, sepse krijon boshllëqe në mënyrën e përfaqësimit të qytetarëve dhe vullnetit të tyre. Prandaj, me sistemin tonë elektoral, por edhe me sistemin politik parlamentar, është e rëndësishme që të krijohet një shumicë në Kuvend e cila doemos duhet të ketë 50%+1 të peshës politike për t’i krijuar institucionet e reja. Kjo është edhe arsyeja pse si për Kryeparlamentarin, ashtu edhe për Qeverinë kërkohet vota e 61 deputetëve, sepse sikur të merrej parasysh vetëm kush doli i pari në zgjedhje, atëherë nuk do të duhej fare të votoheshin propozimet dhe nuk do të kërkohej mbështetja nga kjo shumicë parlamentare. Kjo shumicë nuk mund të jetë, prandaj, as me 6%, as me 30%, as me 49% e as me 50%. Partia ose koalicioni i cili krijon 50%+1 të fuqisë politike në Kuvend fiton të drejtën e formimit të institucioneve shtetërore. Çdo shmangie nga ky parim elementar përbënë shkelje të sistemit politik të Kosovës dhe të normave themelore të demokracisë, që nënkupton respektimin e vullnetit të shumicës në Kuvend e jo të vullnetit të pakicës, edhe nëse ky vullnet do të përbënte 49.99%. Ne, si koalicion LDK-AAK-NISMA, bashkë me partnerët tanë, do të shkojmë në seancën e 12 shtatorit duke u bazuar në këto parime, pavarësisht se disa po dëshirojnë t’a shndërrojnë Kosovën në Bjellorusi (i vetmi vend në Evropë ku mandati i deputetit është detyrues dhe i takon partisë). Pavarësisht përpjekjeve të PDK-së, të cilat konkretizohen edhe nëpërmjet veprimeve të institucioneve të kapura, deputetët që e kuptojnë drejtë rëndësinë e demokracisë parlamentare, gjithnjë do ta kuptojnë se mandati i tyre është i lirë, i pakushtëzuar, dhe jodetyrues. Pra, nuk i përket partisë. Mandati i takon deputetit dhe vetëm deputetit që nga dita kur ai mandat fitohet, pra që nga dita e certifikimit të zgjedhjeve. Prandaj përpjekjet për ta zhvleftësuar këtë liri të veprimit që Kushtetuta ua ka dhënë deputetëve e kthen Kosovën prapa në kohën e komunizmit dhe shkelë çdo parim themelor të demokracisë parlamentare që është ndërtuar me aq mund për vite me radhë. Dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet t’ia dëshmojnë PDK-së dhe të gjithë atyre që zbatojnë urdhrat e saj se vullnetin e tyre politik nuk mund ta imponojë askush, ashtu siç nuk ka mundur të imponohet as me 2 korrik, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme, në oborrin e Kuvendit, shpallën Kosovën Republikë. Këta deputetë, përfaqësojnë rreth gjysmë milion votues dhe një shumicë parlamentare që mund të marrin vendimet më të rëndësishme për këtë vend, por mbi të gjitha përfaqësojnë një kauzë që i ka bashkuar duke i tejkaluar interesat e ideologjitë e ngushta, e ajo është luftimi i zaptimit të shtetit që ka ndodhur për interesa oligarkike.

 (Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës)

No comments:

Post a Comment